Vizitoni BE

Që ta njihni më mirë

Organizimi i projektit

Konkurrimi:

YIHR do të krijoj formën e aplikimit, që do të përmbajë të gjitha informacionet rreth kritereve të zgjedhjes së studentëve dhe të dhënat e sistemit të vlerësimit. Bashkë me formën e aplikimit, të gjithë kandidatët do të sjellin certifikatën e notave dhe certifikatën që dëshmon se janë studentë të vitit të fundit të studimeve ose absolventë. Kandidatët do t'i dërgojnë aplikacionet e tyre personalisht në adresën e projektit.
Secilit aplikacion të pranuar do t'i shënohet numri i referencës dhe do të procedohet në formën elektronike. Gjatë periudhës së pranimit dhe të procedimit të të dhënave, aplikacionet që nuk i përmbushin kriteret themelore (1, 2 dhe 3) do të diskualifikohen. Në të njëjtën kohë do të formohen dy lista radhitëse, lista e parë që do të përfshij kandidatët e shkencave natyrore dhe teknike dhe lista e dytë që do të përfshij kandidatët e shkencave shoqërore dhe të arteve. Listat po ashtu do të përmbajnë numrin e referencës, emrin, mbiemrin e kandidatëve dhe notën mesatare në bazë të së cilës do të bëhet radhitja e kandidatëve. Të gjitha aplikacionet dhe listat do t'i dërgohen Komisionit Vlerësues për shqyrtim të mëtutjeshëm.


Zgjedhja e kandidatëve:

Komisioni Vlerësues do të përzgjedhë kandidatët e rrethit të ngushtë të cilët pastaj do të intervistohen. Kandidatët e rrethit të ngushtë do të njoftohen dhe ftohen individualisht për intervistë përmes e-mailit dhe telefonit.


Intervista:

Gjatë intervistës Komisioni Vlerësues, i cili do të jetë i përbërë nga një përfaqësues i YIHR -së dhe dy anëtarë të tjerë, do të vlerësojnë njohuritë e përgjithshme dhe nivelin e njohjes së gjuhëve të huaja. Komisioni Vlerësues do të intervistoj nga një kandidat në të njëjtën kohë; secili anëtarë i Komisionit do t'i parashtroj më së paku nga tri pyetje kandidatit; do të parashtrohen edhe pyetje në gjuhën e huaj të cilën kandidati e ka cekur në formën e aplikimit. Pas procesit të intervistimit, Komisioni Vlerësues do të përzgjedhë 15 kandidatë dhe lista përfundimtare do të publikohet në ueb sajtin e projektit: www.travellingtoeurope.net nën sesionin "Pjesëmarrësit". Kandidatët e përzgjedhur do të njoftohen gjithashtu edhe përmes telefonit.


Marrja e vizave:

Marrja e vizave do të bëhet në bashkëpunim me Ambasadën Gjermane në Prishtinë. Për kandidatët e përzgjedhur do të organizohet një takim në zyrën e YIHR-së ku do të informohen për dokumentet e nevojshme për marrjen e vizave (pasaportat, fotografitë). Certifikatat e fakultetit të cilat kandidatët ia kanë bashkangjitur aplikacionit, po ashtu do të shfrytëzohen përgjatë procesit të marrjes së vizave.


Biletat Inter-rail dhe paratë për shpenzime

Gjatë periudhës së marrjes së vizave, do të bëhet blerja e biletave Inter-rail, ndërsa paratë për shpenzime do tu jepen studentëve pasi të përfundoj udhëtimi.


Udhëtimi

Studentët do të fillojnë udhëtimin e organizuar nga Prishtina deri në Berlin ku për të gjithë do të jetë i siguruar akomodimi në bujtina rinore për dy ditë. Ndërsa Fondacioni Robert Bosch do të organizoj pritje për të gjithë studentët nga vendet e Ballkanit Perëndimor, pjesëmarrës të të njëjtit projekt nga vendet e tyre. Nga Berlini, secili sipas dëshirës së vet mund të vazhdojë udhëtimin përmes stacioneve hekurudhore të Evropës në vendet tjera ku vlen regjimi i vizave Schengen, sipas zgjedhjes së tyre.