Vizitoni BE

Që ta njihni më mirë

Për projektin

Bazuar në përvojën dhe suksesin e shtatë viteve të kaluara, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë planifikon që edhe këtë vit për të tetën herë të organizoj dhe menaxhoj projektin "Udhëtim në Evropë". Pas mundësisë që ju dha 116 të rinjve që të udhëtojnë nëpër shtete të ndryshme të Evropës në shtatë vite, Nisma e konsideron Udhëtimin në Evropë si njërin nga projektet më të suksesshme të saj. Tregimet dhe përvojat e pjesëmarrësve të projektit, të përshkruara nëpër esetë e përshtypjeve të tyre dhe në dokumentarin e xhiruar gjatë udhëtimit të tyre, ilustrojnë qartë dëshirën e madhe të të rinjve Kosovar që të hulumtojnë Evropën dhe janë dëshmi e pasojave të barrierave të lëvizjes me të cilat ata ballafaqohen.

Vazhdimi i projektit konsiderohet shumë i rëndësishëm, ngase përmes tij iu ofrohet mundësia disa prej studentëve më të suksesshëm të universiteteve në Kosovë të përjetojnë atë që ata nuk kanë mundësi ta bëjnë individualisht. Si pasojë e regjimit të ashpër të vizave nga zona Schengen por edhe nga vendet e rajonit që së fundmi janë bërë pjesë e BE-së, për të rinjtë kosovar Evropa ka mbetur si diçka që është jashtë mundësive të tyre. Izolimi ka pasur një efekt të tmerrshëm në psiken sociale e cila ka rezultuar në ndjenjën e përjashtimit tek të rinjtë e Kosovës, të cilët janë shumë pro-Evropian dhe i mbështesin vlerat Perëndimore. Kjo lloj përvoje do t'iu jap studentëve mundësinë që për së afërmi të shohin si duket Perëndimi dhe ta ndjejnë atë, ta përforcojmë vendosmërinë e tyre drejt promovimit të idesë për Integrimin Evropian, ndërkohë që kjo shërben edhe si një mekanizëm përkrahjeje dhe shpërblimi për arritjet e tyre akademike.

Ideja themelore e projektit Udhëtim në Evropë është që 15 studentëve të universiteteve në Kosovë (që janë në vitin e fundit të studimeve dhe/ose absolventë) t'iu mundësohet të marrin Viza Schengen, bileta treni Inter-rail, bileta aeroplani Prishtinë - Berlin dhe para shpenzimi që të udhëtojnë nëpër Evropë sipas zgjedhjes së tyre.

 

Përmes projektit Udhëtim në Evropë arrihen këto objektiva:

  • Studentët nga Kosova do të kenë mundësinë të njohin për së afërmi shtetet, qytetet dhe kulturën Evropiane,
  • Të rinjtë do të jenë misionarë të vullnetit të mirë dhe do të shpërndajnë kulturën e dialogut dhe shkëmbimit, e në të njëjtën kohë do t'i kontribuojnë përmirësimit të imazhit të Kosovës dhe të prezantojnë rininë kosovare në Evropë,
  • Do të ngritet niveli i vetëdijes së të rinjve për rëndësinë që ka suksesi në arsim dhe promovimi i fortë i arsimimit si mënyrë e sigurt për të pasur sukses në jetë,
  • Elita intelektuale dhe kulturore e Kosovës do të pasurohet me një numër domethënës të të rinjve të cilët do të jenë të gatshëm të prezantojnë Evropën dhe idenë evropiane në komunitetet e tyre me kompetencë, duke u shndërruar kështu në "ambasadorë të Evropës",
  • Kjo do të ndikojë drejtpërdrejtë në vendet anëtare të marrëveshjes Schengen që të lehtësojnë regjimin e vizave për qytetarët e Kosovës, në veçanti për studentët dhe të rinjtë.